U zhvillua në mjediset e Universitetit “Barleti” aktiviteti përmbyllës i projektit “Edukimi i të rinjve nëpërmjet programit STEAM”, mbështetur nga Bashkia Tiranë, në kuadër vitit Tirana- Kryeqyteti Evropian të Rinisë.
Në aktivitet u paraqitën 8 produktet dhe projektet më cilësore nga ekipe nxënësish të klasave XI dhe XII të gjimnazeve “Petro Nini Luarasi”, “Ismail Qemali”, “Qemal Stafa”, “Sami Frashëri”, “Besnik Sykja”.
Ekipet e nxënësve paraqitën produktet dhe projektet, të cilat janë hartuar duke u bazuar në proceset e mësimdhënies dhe të të nxënit sipas modelit “STEAM”, konform kurrikulës me kompetenca që zbatohet në shkollë.
Tematikat e projekteve dhe produkteve, të paraqitura nga nxënësit, trajtonin koncepte të energjisë, të mjedisit, të digjitalizimit, të hartuara nga integrimi i fushave të kurrikulës si: shkencat, matematikë, fizikë, inxhinieria, artet dhe teknologjia e informacionit.
Në këtë aktivitet u certifikuan 10 trajnerë “STEAM” dhe 20 mësues të trajnuar të këtyre gjimnazeve, të cilat janë burime të mirëtrajnuara që do të shërbejnë për përhapjen e praktikave të mira “STEAM” dhe në shkolla të tjera. Gjithashtu u shpërndanë 30 certifikata për nxënësit pjesëmarrës. Nga ana e Universitetit “Barleti” u ofrua bursë studimi për 5 nxënës (nga një për secilin gjimnaz), kurse për të tjerë mundësi intershipi pranë Qendrës së Trajnimeve dhe Testimeve Barleti, si dhe bashkëpunime të vijueshme për mbështetjen dhe pjesëmarrjen e maturantëve të gjimnazeve në Panairin “STEAM-2023” që do të zhvillohet në pranverë në universitet. 10 fitues të këtij aktiviteti do të shkojnë në Panairin Ndërkombëtar “Techo-Fest” në Stamboll në shtator 2023, ku marrin pjesë përfaqësues të universiteteve më të mira të botës.
Ky aktivitet përmbylli këtë projekt të efektshëm dhe tashmë modeli “STEAM” ka gjetur përkrahje dhe mbështetje nga mësuesit e gjimnazeve, të cilët në bashkëpunim me drejtoritë e tyre po mendojnë të zbatojnë në vijimësi orë mësimore dhe projekte lëndore mbi këtë metodologji.